| Chapter 9 |
1 | Ndodhi në ditën e tetë që Moisiu thirri Aaronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit, |
2 | dhe i tha Aaronit: "Merr një viç për flijimin për mëkatin dhe një dash për një olokaust, që të dy pa të meta, dhe ofroji para Zotit. |
3 | Pastaj do t`u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: Merrni një cjap për flijimin për mëkatin, një viç dhe një qengj, që të dy motakë, pa të meta, për një olokaust, |
4 | një dem të vogël dhe një dash për flijimin e falënderimit, për t`i flijuar përpara Zotit, dhe një ofertë ushqimesh, të përziera me vaj, sepse sot Zoti do t`ju shfaqet". |
5 | Dhe kështu ata sollën përpara çadrës së mbledhjes atë që Moisiu kishte urdhëruar; dhe tërë asamblea u afrua dhe qëndroi në këmbë përpara Zotit. |
6 | Atëherë Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ju ka urdhëruar; bëjeni dhe lavdia e Zotit do t`ju shfaqet". |
7 | Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Afroju altarit; paraqit flijimin tënd për mëkatin dhe olokaustin tënd, dhe bëj shlyerjen për vete dhe për popullin; paraqit gjithashtu ofertën e popullit dhe bëj shlyerjen për ata, siç ka urdhëruar Zoti". |
8 | Kështu Aaroni iu afrua altarit dhe theri viçin e flijimit për mëkatin, që e kishte për vete. |
9 | Pastaj bijtë e tij i paraqitën gjakun dhe ai ngjeu gishtin e tij në gjak dhe e vuri atë mbi brirët e altarit, dhe derdhi mbetjen e gjakut në bazën e altarit; |
10 | por dhjamin, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë të flijimit për mëkatin, i tymosi mbi altar ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
11 | Mishin dhe lëkurën përkundrazi i dogji jashtë kampit. |
12 | Pastaj theri olokaustin; bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin. |
13 | Pastaj i dhanë olokaustin e bërë copë-copë dhe kokën; dhe ai i tymosi mbi altar. |
14 | Lau zorrët dhe këmbët dhe i tymosi bashkë me olokaustin mbi altar. |
15 | Pastaj paraqiti ofertën e popullit. Mori cjapin, që ishte flia për mëkatin e popullit, e theri dhe e ofroi për mëkatin, si ofertë të parë. |
16 | Pastaj paraqiti olokaustin dhe e ofroi sipas rregullit të caktuar. |
17 | Paraqiti pas kësaj blatimin e ushqimit; mori një grusht prej tij dhe e tymosi mbi altar, përveç olokaustit të mëngjesit. |
18 | Theri edhe demin e vogël dhe dashin, si flijim falënderimi për popullin. Bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin. |
19 | I paraqitën dhjamin e kaut, të dashit, bishtin e majmë, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë; |
20 | vunë dhjamin mbi gjokset, dhe ai tymosi dhjamin mbi altar; |
21 | por gjokset dhe kofshën e djathtë Aaroni i tundi përpara Zotit si ofertë e tundur, sipas mënyrës që kishte urdhëruar Moisiu. |
22 | Pastaj Aaroni ngriti duart e tij drejt popullit dhe e bekoi; mbasi bëri flijimin për mëkatin, olokaustin dhe flijimin e falënderimit, zbriti nga altari. |
23 | Pastaj Moisiu dhe Aaroni hynë në çadrën e mbledhjes; pastaj dolën dhe bekuan popullin. Atëherë lavdia e Zotit iu shfaq tërë popullit. |
24 | Pastaj një zjarr doli nga prania e Zotit dhe konsumoi mbi altar olokaustin dhe dhjamin; tërë populli e pa, shpërtheu në britma gëzimi dhe u përul me fytyrë për tokë. |