| Chapter 50 |
1 | Atëherë Jozefi u hodh mbi fytyrën e të atit, qau mbi të dhe e puthi. |
2 | Pastaj Jozefi urdhëroi mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin; dhe mjekët e balsamosën Izraelin. |
3 | U deshën dyzet ditë, sepse e tillë ishte koha e nevojshme për balsamimin; dhe Egjiptasit e qanë shtatëdhjetë ditë. |
4 | Kur kaluan ditët e zisë të mbajtura për të, Jozefi foli në shtëpinë e Faraonit duke thënë: "Në qoftë se kam gjetur hirin tuaj, i thoni Faraonit këto fjalë: |
5 | Ati im më ka vënë të betohem dhe më ka thënë: "Ja, unë jam duke vdekur; më varros në varrin që kam gërmuar në vendin e Kanaanit". Tani, pra, më lejo të ngjitem për të varrosur atin tim, pastaj do të kthehem". |
6 | Faraoni u përgjegj: "Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh". |
7 | Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit, |
8 | dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë. |
9 | Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish. |
10 | Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. |
11 | Kur banorët e vendit, Kananejtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: "Kjo është një zi e madhe për Egjiptasit!". Prandaj ai vend u quajt Abel-Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit. |
12 | Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar. |
13 | Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij. |
14 | Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij. |
15 | Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?". |
16 | Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë: |
17 | "Kështu do t`i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu. |
18 | Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu". |
19 | Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?. |
20 | Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t`i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë. |
21 | Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj". Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi. |
22 | Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet. |
23 | Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij. |
24 | Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes; por Perëndia do t`ju vizitojë me siguri dhe do t`ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit". |
25 | Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia me siguri do t`ju vizitojë; atëherë ju do t`i hiqni kockat e mia që këtej". |
26 | Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt. |