| Chapter 8 |
1 | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim të shkojë me qëllim që të më shërbejë. |
2 | Dhe në qoftë se nuk pranon ta lësh të shkojë, ja, unë do ta godas gjithë vendin tënd me kamxhikun e bretkosave. |
3 | Kështu lumi do të mbushet me bretkosa, dhe ato do të ngjiten dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën ku fle ti, mbi shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe midis popullit, në furrat e tua dhe në magjet e bukës. |
4 | Dhe bretkosat do të vijnë kundër teje, kundër popullit tënd dhe kundër tërë shërbëtorëve të tu"". |
5 | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Shtri dorën tënde me bastunin tënd mbi lumenjtë, mbi kanalet dhe pellgjet dhe bëj që të ngjiten bretkosat mbi vendin e Egjiptit"". |
6 | Kështu Aaroni shtriu dorën e tij mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat u ngjitën dhe mbuluan vendin e Egjiptit. |
7 | Por magjistarët bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta dhe i bënë bretkosat të ngjiten në vendin e Egjiptit. |
8 | Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Lutjuni Zotit që t`i largojë bretkosat nga unë, nga populli im, dhe unë do ta lejoj popullin të shkojë, që të bëjë fli për Zotin". |
9 | Moisiu i tha Faraonit: "Bëmë nderin të më thuash kur të ndërhyj për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd, pranë Zotit me qëllim që ai të zhdukë bretkosat që ndodhen rreth teje dhe shtëpive të tua, dhe të mbeten vetëm në lumë". |
10 | Ai u përgjigj: "Nesër". Dhe Moisiu tha: "Do të bëhet siç thua ti, kështu që ti të dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë. |
11 | Dhe bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumë". |
12 | Moisiu dhe Aaroni dolën nga Faraoni; dhe Moisiu iu lut Zotit për bretkosat që kishte dërguar kundër Faraonit. |
13 | Dhe Zoti veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe bretkosat ngordhën në shtëpitë, në oborret dhe në arat. |
14 | I grumbulluan pastaj në togje dhe vendi filloi të mbajë erë të keqe. |
15 | Po kur Faraoni pa që kishte pak lehtësim, e ngurtësoi zemrën e tij dhe nuk i dëgjoi më, ashtu siç kishte thënë Zoti. |
16 | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Zgjate bastunin tënd dhe rrih pluhurin e tokës, dhe ai do të bëhet mushkonja për tërë vendin e Egjiptit"". |
17 | Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit. |
18 | Magjistarët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me anë të arteve të tyre të fshehta për të prodhuar mushkonja, por nuk ia dolën dot. Mushkonjat mbuluan, pra, njerëzit dhe kafshët. |
19 | Atëherë magjistarët i thanë Faraonit: "Ky është gishti i Perëndisë". Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi më, ashtu si kishte thënë Zoti. |
20 | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes dhe paraqitu tek Faraoni, kur ai del për të vajtur drejt ujit; dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim që të mund të më shërbejë. |
21 | Por në rast se ti nuk e lë popullin tim të shkojë, ja unë do të dërgoj kundër teje, mbi shërbëtorët e tu, mbi popullin tënd e brenda shtëpive të tua mori mizash; shtëpitë e Egjiptasve do të jenë plot me mori mizash, dhe kështu do të jetë toka mbi të cilën ndodhen. |
22 | Por atë ditë unë do ta veçoj vendin e Goshenit, ku banon populli im; dhe atje nuk do të ketë mori mizash, që ti të dish që unë jam Zoti në mes të vendit. |
23 | Unë do të bëj një dallim midis popullit tim dhe popullit tënd. Nesër ka për të ndodhur kjo mrekulli"". |
24 | Dhe Zoti ashtu veproi; erdhën grumbuj të dendur mizash në shtëpinë e Faraonit dhe në shtëpitë e shërbëtorëve të tij, dhe në gjithë vendin e Egjiptit toka u shkretua nga moria e mizave. |
25 | Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Shkoni, bëni fli për Perëndinë tuaj në vend". |
26 | Por Moisiu u përgjigj: "Kjo s`ka si bëhet, sepse do t`i bënim Zotit, Perëndisë tonë, fli që janë të neveritshme për Egjiptasit. Ja, duke bërë para syve të tyre fli që janë të neveritshme për Egjiptasit, a nuk do të na vrasin me gurë? |
27 | Do të shkojmë në shkretëtirë duke ecur tri ditë me radhë dhe do të bëjmë fli për Zotin, Perëndinë tonë, ashtu si do të na urdhërojë Ai". |
28 | Faraoni tha: "Unë do t`ju lë të shkoni, që të bëni fli për Zotin, Perëndinë tuaj, në shkretëtirë; vetëm, mos shkoni shumë larg. lutuni për mua". |
29 | Moisiu tha: "Ja, unë po dal nga ti dhe do t`i lutem Zotit dhe nesër moria e mizave do të largohet nga Faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; mjafton që Faraoni të mos tallet me ne, duke e penguar popullin të shkojë e të bëjë fli për Zotin". |
30 | Moisiu u largua pastaj nga prania e Faraonit dhe iu lut Zotit. |
31 | Dhe Zoti veproi simbas fjalës së Moisiut dhe largoi morinë e mizave nga Faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; nuk mbeti as edhe një mizë. |
32 | Por edhe këtë herë Faraoni e fortësoi zemrën e tij dhe nuk e la popullin të shkojë. |