| Chapter 23 |
1 | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
2 | "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t`i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto: |
3 | Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni. |
4 | Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t`i shpallni në kohën e tyre. |
5 | Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit; |
6 | dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. |
7 | Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë; |
8 | dhe për shtatë ditë do t`i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë". |
9 | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
10 | "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap dhe do të kryeni të korrat, do t`i çoni priftit një demet si prodhim i parë i korrjes suaj; |
11 | Ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet; prifti do ta tundë një ditë pas së shtunës. |
12 | Ditën gjatë së cilës do të tundni demetin, do t`i ofroni një qengj motak, pa të meta, si olokaust për Zotin. |
13 | Blatimi i ushqimit që do ta shoqërojë do të jetë dy të dhjeta të efës majë mielli të përzier me vaj, si flijim i bërë me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin; libacioni do të jetë një çerek hin verë. |
14 | Nuk do të hani as bukë, as grurë të pjekur, as kallëza të freskëta, deri në atë ditë, deri sa të mos keni çuar ofertën e Perëndisë tuaj. Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaja, në të gjitha vendet ku do të banoni. |
15 | Nga dita pas së shtunës, domethënë nga dita që keni çuar demetin e ofertës së tundur, do të numëroni shtatë të shtuna të plota. |
16 | Do të numëroni pesëdhjetë ditë deri në ditën pas së shtunës së shtatë, pastaj do t`i ofroni Zotit një blatim të ri ushqimi. |
17 | Do të çoni në banesat tuaja dy bukë për një ofertë të tundur prej dy të dhjeta të efës majë mielli; ato do të jenë pjekur me maja, si prodhime të para të ofruara për Zotin. |
18 | Së bashku me këto bukë do të ofroni shtatë qengja motakë pa të meta, një dem të vogël dhe dy desh; ata do të jenë një olokaust për Zotin së bashku me blatimet e tyre ushqimore dhe me libacionet e tyre; do të jetë një flijim me erë të këndshme i bërë me zjarr për Zotin. |
19 | Pastaj do të ofroni një cjap si fli për mëkatin dhe dy qengja motakë si flijim falënderimi. |
20 | Prifti do t`i tundë bashkë me bukën e prodhimit të parë dhe me dy qengjat, si ofertë e tundur përpara Zotit; ata do t`i shenjtërohen Zotit dhe do t`i takojnë priftit. |
21 | Po atë ditë do të shpallni një mbledhje të shenjtë. nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni. |
22 | Kur do të korrni të mbjellat e tokës suaj, nuk do të korrni deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mblidhni kallinjtë që kanë mbetur pas; do t`i lini për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj". |
23 | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
24 | "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Në muajin e shtatë, ditën e parë të muajit do të bëni një pushim solemn, një kremtim festiv të njoftuar me buri, një mbledhje të shenjtë. |
25 | Nuk do të bëni në atë ditë asnjë punë të rëndë dhe do t`i ofroni Zotit disa flijime të bëra me zjarr". |
26 | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
27 | "Dita e dhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë dita e shlyerjes së mëkateve. Do të ketë për ju një mbledhje të shenjtë; do të përulni shpirtin tuaj dhe do t`i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. |
28 | Gjatë kësaj dite nuk do kryeni asnjë punë, sepse është dita e shlyerjes për ju përpara Zotit, Perëndisë tuaj. |
29 | Sepse çdo njeri që në këtë ditë nuk përulet, do të shfaroset në mes të popullit të tij. |
30 | Dhe çdo person që gjatë kësaj dite do të bëjë çfarëdo pune, unë, këtë person do ta shfaros në mes të popullit të tij. |
31 | Nuk do të kryeni asnjë punë. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni. |
32 | Do të jetë për ju një e shtunë pushimi, gjatë së cilës do të përulni shpirtin tuaj; ditën e nëntë të muajit, nga mbrëmja deri në mbrëmjen vijuese, do të kremtoni të shtunën tuaj". |
33 | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
34 | "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Dita e pesëmbëdhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë festa e kasolleve për shtatë ditë, për nder të Zotit. |
35 | Ditën e parë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë. |
36 | Shtatë ditë me radhë do t`i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Ditën e tetë do të keni një mbledhje të shenjtë dhe do t`i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Éshtë dita e kuvendit madhështor, nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë. |
37 | Këto janë festat e Zotit që ju do t`i shpallni si mbledhje të shenjta, për t`i ofruar Zotit një flijim të bërë me zjarr, një olokaust dhe një blatim ushqimi, një viktimë dhe libacione, çdo gjë në ditën e caktuar, |
38 | përveç të shtunave të Zotit, përveç dhuratave dhe kushteve tuaja sipas dëshirës që do t`i paraqisni Zotit. |
39 | Përveç kësaj ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, kur të keni vjelur prodhimet e tokës, do të kremtoni një festë për Zotin shtatë ditë me radhë; dita e parë do të jetë një ditë pushimi dhe dita e tetë do të jetë gjithashtu një ditë pushimi. |
40 | Ditën e parë do të mblidhni frutat e drurëve madhështorë: degë palme, degë me gjethe të dendura dhe shelgje përrenjsh, dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, shtatë ditë me radhë. |
41 | Do ta kremtoni këtë festë për nder të Zotit shtatë ditë për çdo vit. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj. Do ta kremtoni muajin e shtatë. |
42 | Do të banoni në kasolle shtatë ditë me radhë; të gjithë ata që kanë lindur në Izrael do të banojnë në kasolle, |
43 | me qëllim që pasardhësit tuaj të dinë që unë i kam detyruar bijtë e Izraelit të banojnë në kasolle, kur i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj". |
44 | Kështu Moisiu u njoftoi bijve të Izraelit festat e Zotit. |