| Chapter 14 |
1 | Këto janë territoret që bijtë e Izraelit morën si trashëgimi në vendin e Kanaanit, dhe që prifti Eleazar, Jozueu, bir i Nunit, dhe kryetarët e familjeve të fiseve të bijve të Izraelit u ndanë atyreve si trashëgimi. |
2 | Trashëgimia e tyre u vendos me short, ashtu si u kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit, |
3 | sepse dy fiseve të tjera dhe gjysmës së fisit, Moisiu u kishte dhënë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit; por nuk u kishte dhënë asnjë trashëgimi Levitëve, |
4 | sepse bijtë e Jozefit formonin dy fise, atë të Manasit dhe atë të Efraimit; Levitëve nuk iu dha asnjë pjesë në vend, por vetëm disa qytete për të banuar bashkë me kullota për bagëtinë e tyre dhe pasuritë që kishin. |
5 | Bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe e ndanë vendin. |
6 | Atëherë bijtë e Judës u paraqitën para Jozueut në Gilgal; dhe Kalebi, bir i Jefunehut, Kenizeu, i tha: "Ti e di atë që Zoti i tha Moisiut, njeriut të Perëndisë, lidhur me mua dhe me ty në Kadesh-Barnea. |
7 | Unë isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit, më dërgoi në Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin; unë i paraqita një raport ashtu si ma thoshte zemra. |
8 | Ndërsa vëllezërit e mi që kishin ardhur me mua e shkurajuan popullin, unë ndoqa plotësisht Zotin, Perëndinë tim. |
9 | Atë ditë Moisiu bëri këtë betim: "Toka që ke shkelur me këmbë do të jetë trashëgimia jote dhe e bijve të tu për gjithnjë, sepse ke ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë tim". |
10 | Dhe ja, tani Zoti më ka ruajtur të gjallë, siç e kishte thënë, këto dyzet e pesë vjet që kur Zoti i tha këto fjalë Moisiut, ndërsa Izraeli endej nëpër shkretëtirë; dhe ja, sot u bëra tetëdhjetë e pesë vjeç. |
11 | Por sot jam akoma i fortë si ditën që Moisiu më nisi; po atë fuqi që kisha atëherë e kam edhe tani, qoftë për të luftuar, qoftë për të shkuar dhe për të ardhur. |
12 | Prandaj ma jep këtë mal për të cilin foli Zoti atë ditë; sepse ti vetë e dëgjove atë ditë që aty ishin Anakimët dhe kishte qytete të mëdha dhe të fortifikuara. Në rast se Zoti do të jetë me mua, unë do t`i dëboj, ashtu si ka thënë Zoti". |
13 | Atëherë Jozueu e bekoi dhe i dha si trashëgimi Hebronin Kalebit, djalit të Jefunehut. |
14 | Për këtë arësye Hebroni ka mbetur pronë e Kalebit, birit të Jefunehut, Kenizeu, deri në ditën e sotme, sepse ai ka ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë e Izraelit. |
15 | Më parë Hebroni quhej Kirjath-Arba, Arba pati qenë njeriu më i madh në radhët e Anakimëve. Dhe vendi nuk pati më luftë. |