| Chapter 34 |
1 | Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha: |
2 | "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin! |
3 | Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet. |
4 | Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë. |
5 | Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time. |
6 | A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat". |
7 | Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin, |
8 | që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij? |
9 | Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia". |
10 | Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit! |
11 | Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij. |
12 | Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë. |
13 | Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën? |
14 | Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij, |
15 | çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur. |
16 | Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them. |
17 | A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin? |
18 | Ai që i thotë një mbreti: "Je për t`u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij". |
19 | Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij. |
20 | Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu. |
21 | Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij. |
22 | Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij. |
23 | Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij. |
24 | Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre. |
25 | Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen; |
26 | i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve, |
27 | sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij, |
28 | deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve. |
29 | Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm, |
30 | për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe? |
31 | Dikush mund t`i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen; |
32 | tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"? |
33 | A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di. |
34 | Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë: |
35 | "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri". |
36 | Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij, |
37 | sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë". |