| Chapter 37 |
1 | Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj. |
2 | Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj! |
3 | Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës. |
4 | Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij. |
5 | Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t`i kuptojmë. |
6 | I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë", ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta. |
7 | Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij. |
8 | Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre. |
9 | Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut. |
10 | Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet. |
11 | I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota. |
12 | Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar. |
13 | I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi. |
14 | Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë! |
15 | A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij? |
16 | A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha? |
17 | A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut? |
18 | Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë? |
19 | Na mëso se çfarë duhet t`i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën. |
20 | A mund t`i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri. |
21 | Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re. |
22 | Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme. |
23 | Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri. |
24 | Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur". |