| Chapter 119 |
1 | Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit. |
2 | Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër |
3 | dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij. |
4 | Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes. |
5 | Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua. |
6 | Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua. |
7 | Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta. |
8 | Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht. |
9 | Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. |
10 | Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua. |
11 | E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. |
12 | Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua. |
13 | Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate. |
14 | Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë. |
15 | Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua. |
16 | Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde. |
17 | Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde. |
18 | Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd. |
19 | Unë jam i huaji mbi dhe; mos m`i fshih urdhërimet e tua. |
20 | Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë. |
21 | Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua. |
22 | Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua. |
23 | Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua. |
24 | Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi. |
25 | Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate. |
26 | Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua. |
27 | Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua. |
28 | Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate. |
29 | Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd. |
30 | Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes. |
31 | Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem. |
32 | Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën. |
33 | Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund. |
34 | Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër. |
35 | Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time. |
36 | Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë. |
37 | Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua. |
38 | Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty. |
39 | Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira. |
40 | Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde. |
41 | Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. |
42 | Kështu do të mund t`i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote. |
43 | Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua. |
44 | Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë. |
45 | Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua. |
46 | Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem. |
47 | Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. |
48 | Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua. |
49 | Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa. |
50 | Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. |
51 | Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt. |
52 | Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon. |
53 | Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd. |
54 | Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim. |
55 | O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd. |
56 | Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua. |
57 | Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua. |
58 | Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate. |
59 | Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua. |
60 | Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. |
61 | Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd. |
62 | Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta. |
63 | Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua. |
64 | O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua. |
65 | Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate. |
66 | Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua. |
67 | Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde. |
68 | Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua. |
69 | Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër. |
70 | Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd. |
71 | Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. |
72 | Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi. |
73 | Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua. |
74 | Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde. |
75 | Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde. |
76 | Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd. |
77 | Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime. |
78 | U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua. |
79 | Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua. |
80 | Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem. |
81 | Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde. |
82 | Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?". |
83 | Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua. |
84 | Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t`u vish hakut atyre që më ndjekin? |
85 | Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd. |
86 | Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë. |
87 | Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua. |
88 | Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate. |
89 | Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë. |
90 | Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston. |
91 | Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd. |
92 | Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim. |
93 | Nuk do t`i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën. |
94 | Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua. |
95 | Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua. |
96 | Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak. |
97 | Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. |
98 | Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. |
99 | Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. |
100 | Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. |
101 | Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde. |
102 | Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar. |
103 | Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. |
104 | Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. |
105 | Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. |
106 | Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta. |
107 | Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate. |
108 | O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua. |
109 | Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd. |
110 | Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua. |
111 | Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime. |
112 | Jam zotuar me gjithë zemër për t`i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund. |
113 | Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd. |
114 | Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde. |
115 | Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim. |
116 | Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time. |
117 | Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t`i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi. |
118 | Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër. |
119 | Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua. |
120 | Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua. |
121 | Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi. |
122 | Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin. |
123 | Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate. |
124 | Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua. |
125 | Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua. |
126 | Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd. |
127 | Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar. |
128 | Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës. |
129 | Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton. |
130 | Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë. |
131 | Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua. |
132 | Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd. |
133 | Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë. |
134 | Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua. |
135 | Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua. |
136 | Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt. |
137 | Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta. |
138 | Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe. |
139 | Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua. |
140 | Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do. |
141 | Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua. |
142 | Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë. |
143 | Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im. |
144 | Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj. |
145 | Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua. |
146 | Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua. |
147 | Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote. |
148 | Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde. |
149 | Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë. |
150 | Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd. |
151 | Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. |
152 | Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë. |
153 | Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd. |
154 | Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate. |
155 | Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua. |
156 | Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta. |
157 | Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua. |
158 | I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde. |
159 | Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate. |
160 | Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë. |
161 | Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote. |
162 | Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. |
163 | Urrej dhe s`e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd. |
164 | Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta. |
165 | Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t`i rrëzojë. |
166 | O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua. |
167 | Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe. |
168 | Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje. |
169 | Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate. |
170 | Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate. |
171 | Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua. |
172 | Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta. |
173 | Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua. |
174 | Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im. |
175 | Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua. |
176 | Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua. |