| Chapter 7 |
1 | Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum. |
2 | Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje. |
3 | Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij. |
4 | Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: ``Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë, |
5 | sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën``. |
6 | Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t`i thënë: ``Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim. |
7 | Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. |
8 | Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën``. |
9 | Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: ``Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh``. |
10 | Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar. |
11 | Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe. |
12 | Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të. |
13 | Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: ``Mos qaj!`` |
14 | U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: ``Djalosh, unë të them, çohu!``. |
15 | Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës. |
16 | Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: ``Midis nesh doli një profet i madh`` dhe: ``Perëndia e vizitoi popullin e vet``. |
17 | Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth. |
18 | Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra. |
19 | Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t`i thënë: ``A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?``. |
20 | Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: ``Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"``. |
21 | Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit. |
22 | Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: ``Shkoni dhe i thoni Gjonit ç`keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve. |
23 | I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!``. |
24 | Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t`u thotë turmave për Gjonin: ``Ç`dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era? |
25 | Po, ç`dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve. |
26 | Por, ç`dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet. |
27 | Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje". |
28 | Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai``. |
29 | Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit. |
30 | Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan. |
31 | Atëherë Zoti tha: ``Me çfarë t`i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë? |
32 | U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë". |
33 | Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: "Ai ka një demon". |
34 | Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve". |
35 | Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj``. |
36 | Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. |
37 | Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm. |
38 | Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t`ia lajë me lot këmbët dhe t`ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t`ia puthte e t`ia vajoste me vaj erëkëndshëm. |
39 | Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: ``Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare. |
40 | Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ``Simon, kam diçka për të të thënë``. Dhe ai tha: ``Fol, Mësues``. |
41 | Dhe Jezusi i tha: ``Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë. |
42 | Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?``. |
43 | Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ``Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë``. Dhe Jezusi i tha: ``Gjykove drejt``. |
44 | Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: ``A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m`i lau këmbët me lot dhe m`i fshiu me flokët e kresë. |
45 | Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. |
46 | Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m`i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm. |
47 | Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak``. |
48 | Pastaj i tha asaj: ``Mëkatet e tua të janë falur``. |
49 | Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: ``Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?``. |
50 | Por Jezusi i tha asaj gruaje: ``Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!``. |