Albanian Bible

Luka 14

Luka

Return to Index

Chapter 15

1

  Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

2

  Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: ``Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta``.

3

  Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

4

  ``Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t`i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

5

  Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

6

  dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.

7

  Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.

8

  Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?

9

  Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur".

10

  Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet``.

11

  Tha akoma: ``Një njeri kishte dy bij.

12

  Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.

13

  Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.

14

  Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

15

  Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

16

  Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17

  Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

18

  Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t`i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

19

  nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu".

20

  U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

21

  Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt".

22

  Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë.

23

  Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi,

24

  sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.

25

  Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26

  Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç`ishte e gjitha kjo.

27

  Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë".

28

  Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte.

29

  Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s`kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s`më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi.

30

  Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur".

31

  Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

32

  Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri"``.

Luka 16

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: