Albanian Bible

Gjoni 3

Gjoni

Return to Index

Chapter 4

1

  Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

2

  (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

3

  e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

4

  Por duhej të kalonte nëpër Samari.

5

  Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

6

  Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.

7

  Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ``Më jep të pi``,

8

  sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.

9

  Por gruaja samaritane i tha: ``Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?`` (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).

10

  Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë``.

11

  Gruaja i tha: ``Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?

12

  Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?``.

13

  Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,

14

  por kush pi nga uji që do t`i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t`i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme``.

15

  Gruaja i tha: ``Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!``.

16

  Jezusi i tha: ``Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu``.

17

  Gruaja u përgjigj dhe i tha: ``Unë nuk kam burrë``. Jezusi i tha: ``Mirë the: "Nuk kam burrë",

18

  sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!``.

19

  Gruaja i tha: ``Zot, po shoh se ti je një profet.

20

  Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë``.

21

  Jezusi i tha: ``O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.

22

  Ju adhuroni atë që s`e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.

23

  Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.

24

  Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t`a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën``.

25

  Gruaja i tha: ``Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë``.

26

  Jezusi i tha: ``Unë jam, ai që po të flet!``.

27

  Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ``Çfarë do?`` ose: ``Pse po flet me të?``.

28

  Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:

29

  ``Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?``.

30

  Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.

31

  Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ``Mësues, ha``.

32

  Por ai u tha atyre: ``Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s`e njihni``.

33

  Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: ``Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?``.

34

  Jezusi u tha atyre: ``Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.

35

  A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.

36

  Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.

37

  Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".

38

  Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre``.

39

  Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: ``Ai më tregoi gjithçka kam bërë``.

40

  Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.

41

  Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.

42

  Dhe ata i thoshnin gruas: ``S`është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës``.

43

  Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,

44

  sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.

45

  Pra, kur arriti në Galile, Galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.

46

  Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.

47

  Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.

48

  Atëherë Jezusi i tha: ``Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni``.

49

  Nëpunësi i mbretit i tha: ``Zot, zbrit para se djali im të vdesë``.

50

  Jezusi i tha: ``Shko, djali yt jeton!``. Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.

51

  Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: ``Djali yt jeton!``.

52

  Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: ``Dje në orën e shtatë e lanë ethet``.

53

  Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: ``Djali yt jeton``; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.

54

  Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.

Gjoni 5

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: