| Chapter 9 |
1 | Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja. |
2 | Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ``Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?``. |
3 | Jezusi u përgjigj: ``As ai, as prindërit e tij s`kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë. |
4 | Unë duhet t`i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. |
5 | Derisa jam në botë, unë jam drita e botës``. |
6 | Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të. |
7 | Pastaj i tha: ``Shko, lahu në pellgun e Siloamit`` (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë. |
8 | Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: ``A s`është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?``. |
9 | Disa thoshnin: ``Ai është``. Të tjerë: ``I përngjan atij``. Dhe ai thoshte: ``Unë jam``. |
10 | I thanë pra: ``Si të janë hapur sytë?``. |
11 | Ai u përgjigj dhe tha: ``Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m`i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m`u kthye drita e syve``. |
12 | Dhe ata i thanë: ``Ku është ai?``. Ai u përgjigj: ``Nuk e di``. |
13 | Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër. |
14 | Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë. |
15 | Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: ``Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh``. |
16 | Atëherë disa farisenj thanë: ``Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!``. Të tjerë thoshnin: ``Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?``. Dhe kishte përçarje midis tyre. |
17 | E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ``Po ti, ç`thua për atë për faktin që t`i ka hapur sytë?``. Ai tha: ``Éshtë një profet``. |
18 | Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve. |
19 | Dhe i pyetën ata: ``A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?``. |
20 | Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ``E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër, |
21 | por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t`ju flasë për veten e vet``. |
22 | Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga. |
23 | Prandaj prindërit e tij thanë: ``Moshë ka, pyeteni atë``. |
24 | Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ``Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar``. |
25 | Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ``Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh``. |
26 | E pyetën përsëri: ``Ç`të bëri? Si t`i ka hapur sytë?``. |
27 | Ai u përgjigj atyre: ``Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?``. |
28 | Por ata e fyen dhe thanë: ``Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut! |
29 | Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është``. |
30 | Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ``E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m`i hapi sytë! |
31 | Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon! |
32 | Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t`ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër. |
33 | Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë``. |
34 | Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?``. Dhe e nxorën jashtë. |
35 | Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ``A beson ti në Birin e Perëndisë?``. |
36 | Ai u përgjigj dhe tha: ``Kush është, Zot, që unë të besoj në të?``. |
37 | Dhe Jezusi i tha: ``Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet``. |
38 | Atëherë ai tha: ``Unë besoj, o Zot``; dhe e adhuroi. |
39 | Pastaj Jezusi tha: ``Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen``. |
40 | Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: ``Jemi të verbër edhe ne?``. |
41 | Jezusi u përgjigj atyre: ``Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim", prandaj mëkati juaj mbetet``. |