| Chapter 13 |
1 | Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund. |
2 | Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte, |
3 | Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej, |
4 | u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. |
5 | Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t`ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. |
6 | Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ``Zot, ti të m`i lash këmbët mua?``. |
7 | Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj``. |
8 | Pjetri i tha: ``Ti kurrë nuk do të m`i lash këmbët``. Jezusi iu përgjigi: ``Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua``. |
9 | Simon Pjetri i tha: ``Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën``. |
10 | Jezusi i tha: ``Ai që është i larë, s`ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë``. |
11 | Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: ``Nuk jeni të gjithë të pastër``. |
12 | Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ``A e kuptoni këtë që ju kam bërë? |
13 | Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam. |
14 | Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t`i lani këmbët njëri-tjetrit. |
15 | Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju. |
16 | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar. |
17 | Po t`i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t`i bëni. |
18 | Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje". |
19 | Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti. |
20 | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar``. |
21 | Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë``. |
22 | Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste. |
23 | Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit. |
24 | Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli. |
25 | Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ``Zot, kush është?``. |
26 | Jezusi u përgjigj: ``Éshtë ai të cilit do t`i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer``. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit. |
27 | Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ``Ç`ke për të bërë, bëje shpejt!``. |
28 | Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë. |
29 | Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ``Bli gjërat që na duhen për festën``; ose që t`u jepte diçka të varfërve. |
30 | Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë. |
31 | Kur doli ai, Jezusi tha: ``Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të. |
32 | Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë. |
33 | Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve. |
34 | Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. |
35 | Prej kësaj do t`ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin``. |
36 | Simon Pjetri i tha: ``Zot, ku po shkon?``. Jezusi iu përgjigj: ``Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh``. |
37 | Pjetri i tha: ``Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!``. |
38 | Jezusi iu përgjigj: ``Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!``. |