| Chapter 18 |
1 | Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij. |
2 | Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij. |
3 | Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë. |
4 | Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t`i ndodhte, doli dhe i pyeti: ``Kë kërkoni?``. |
5 | Ata iu përgjigjën: ``Jezusin Nazareas``. Jezusi u tha atyre: ``Unë jam!``. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. |
6 | Sapo ai u tha atyre: ``Unë jam``, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. |
7 | Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ``Kë kërkoni?``. Ata thanë: ``Jezusin Nazareas``. |
8 | Jezusi u përgjigj: ``Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë``; |
9 | që të përmbushej fjala që kishte thënë: ``Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë``. |
10 | Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk. |
11 | Por Jezusi i tha Pjetrit: ``Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?``. |
12 | Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. |
13 | E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti. |
14 | Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin. |
15 | Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit. |
16 | Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri. |
17 | Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ``Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?``. Ai u përgjigj: ``Nuk jam``. |
18 | Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej. |
19 | Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij. |
20 | Jezusi iu përgjigj: ``Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s`kam thënë asgjë në fshehtësi. |
21 | Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç`u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë``. |
22 | Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ``Kështu i përgjigjesh kryepriftit?``. |
23 | Jezusi i tha: ``Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?``. |
24 | Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti. |
25 | Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ``Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?``. Ai e mohoi dhe tha: ``Nuk jam``. |
26 | Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ``A s`të pashë në kopsht me të?``. |
27 | Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli. |
28 | Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën. |
29 | Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ``Ç`padi sillni kundër këtij njeriu?``. |
30 | Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar``. |
31 | Atëherë Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj`` Por Judenjtë i thanë: ``Neve nuk na lejohet të vrasim njeri``. |
32 | Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç`vdekje duhej të vdiste. |
33 | Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ``A je ti mbreti i Judenjve?``. |
34 | Jezusi iu përgjigj: ``E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?``. |
35 | Pilati iu përgjigj: ``Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?``. |
36 | Jezusi u përgjigj: ``Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej``. |
37 | Atëherë Pilati i tha: ``Ti, pra, qenke mbret?``. Jezusi u përgjigj: ``Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim``. |
38 | Pilati e pyeti: ``Ç`është e vërteta?``. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ``Unë nuk po gjej në të asnjë faj! |
39 | Por ndër ju është zakon që unë t`ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t`ju liroj mbretin e Judenjve?``. |
40 | Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ``Jo këtë, por Barabanë!``. Por Baraba ishte një kusar. |