| Chapter 6 |
1 | Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm. |
2 | Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ``Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. |
3 | Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t`ua besojmë këtë detyrë. |
4 | Kurse ne do të vazhdojmë t`i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës``. |
5 | Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia. |
6 | I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta. |
7 | Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit. |
8 | Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull. |
9 | Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin; |
10 | por nuk mund t`i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste. |
11 | Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: ``Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë``. |
12 | Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri. |
13 | Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: ``Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit. |
14 | E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu``. |
15 | Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli. |