| Chapter 8 |
1 | Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve. |
2 | Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të. |
3 | Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg. |
4 | Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën. |
5 | Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin. |
6 | Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte. |
7 | Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin. |
8 | Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh. |
9 | Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. |
10 | Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ``Ky është fuqia e madhe e Perëndisë``. |
11 | Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari. |
12 | Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan. |
13 | Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur. |
14 | Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. |
15 | Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, |
16 | sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus. |
17 | Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë. |
18 | Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para, |
19 | duke thënë: ``Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t`i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë``. |
20 | Por Pjetri i tha: ``Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë. |
21 | Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë. |
22 | Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate. |
23 | Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë``. |
24 | Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ``Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë``. |
25 | Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillzuan shumë fshatra të Samaritanëve. |
26 | Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: ``Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë``. |
27 | Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar. |
28 | Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia. |
29 | Dhe Fryma i tha Filipit: ``Afrohu dhe arrije atë karrocë!``. |
30 | Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: ``A e kupton atë që lexon?``. |
31 | Ai tha: ``E si do të mundja, po s`pata një që të më udhëzojë?``. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij. |
32 | Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ``Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. |
33 | Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka``. |
34 | Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: ``Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?``. |
35 | Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin. |
36 | Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: ``Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?``. |
37 | Dhe Filipi tha: ``Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh``. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ``Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë``. |
38 | Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi. |
39 | Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim. |
40 | Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare. |