| Chapter 7 |
1 | Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua. |
2 | Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet. |
3 | Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. |
4 | Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja. |
5 | Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t`i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj. |
6 | Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim, |
7 | sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu. |
8 | Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë, |
9 | por në qoftë se s`kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh. |
10 | Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri, |
11 | dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan. |
12 | Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë. |
13 | Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë, |
14 | sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë. |
15 | Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe. |
16 | Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç`di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan? |
17 | Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat. |
18 | A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet. |
19 | Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi. |
20 | Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur. |
21 | A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë. |
22 | Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit. |
23 | Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve. |
24 | Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur. |
25 | Por për sa u takon virgjëreshave, s`kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm. |
26 | Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme. |
27 | Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua. |
28 | Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t`ju kursej juve. |
29 | Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë; |
30 | dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim; |
31 | dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon. |
32 | Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t`i pëlqejë Zotit; |
33 | por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t`i pëlqejë gruas së tij. |
34 | Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t`i pëlqejë burrit. |
35 | Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t`ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t`i kushtoheni Zotit pa u shkëputur. |
36 | Por nëqoftëse dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen. |
37 | Por ai që është i qëndrueshëm në zemër të vet dhe që nuk i nënshtrohet nevojës, por është zot i vullnetit të vet dhe e ka vendosur në zemër të vet të ruajë virgjëreshën e tij, bën mirë. |
38 | Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë. |
39 | Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin. |
40 | Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë. |