| Chapter 4 |
1 | Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim; |
2 | dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit. |
3 | Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi. |
4 | Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t`ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t`i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi. |
5 | Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t`i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç`arësye. |
6 | Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit. |
7 | Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve; |
8 | i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t`ia tregonte Esterit, t`ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij. |
9 | Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut. |
10 | Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t`i thoshte Mardokeut: |
11 | "Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti". |
12 | Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit, |
13 | dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: "Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit. |
14 | Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?". |
15 | Atëherë Esteri urdhëroi t`i përgjigjeshin Mardokeut kështu: |
16 | "Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes". |
17 | Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar. |