| Chapter 10 |
1 | "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim! |
2 | Do t`i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua. |
3 | A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij? |
4 | A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu? |
5 | A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu, |
6 | sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim, |
7 | megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote? |
8 | Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh. |
9 | Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur! |
10 | A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi? |
11 | Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva. |
12 | Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time, |
13 | por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë. |
14 | Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim. |
15 | Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim. |
16 | Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje. |
17 | Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë. |
18 | Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu! |
19 | Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr. |
20 | A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten; |
21 | para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes, |
22 | të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira". |