| Chapter 21 |
1 | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: |
2 | "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni. |
3 | Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua. |
4 | A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet? |
5 | Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë. |
6 | Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet. |
7 | Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre? |
8 | Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre. |
9 | Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta. |
10 | Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar. |
11 | Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle. |
12 | Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit. |
13 | I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol. |
14 | Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua. |
15 | Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t`i shërbejmë? Ç`përfitojmë veç kësaj kur e lusim?". |
16 | Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje. |
17 | Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij? |
18 | A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia? |
19 | Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë. |
20 | Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit! |
21 | Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur? |
22 | A mundet ndokush t`i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart? |
23 | Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt; |
24 | ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët. |
25 | Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën. |
26 | Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë. |
27 | Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje. |
28 | Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?". |
29 | Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre? |
30 | Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit. |
31 | Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë? |
32 | Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij. |
33 | Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para. |
34 | Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?". |