| Chapter 94 |
1 | O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe. |
2 | Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve. |
3 | Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë? |
4 | Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë. |
5 | Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde. |
6 | Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët, |
7 | dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton". |
8 | Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar? |
9 | Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon? |
10 | Ai që ndreq kombet, a nuk do t`i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut? |
11 | Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi. |
12 | Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd, |
13 | për t`i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t`i hapet gropa të pabesit. |
14 | Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij. |
15 | Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t`i shkojnë pas. |
16 | Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi? |
17 | Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes. |
18 | Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur. |
19 | Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër. |
20 | Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit? |
21 | Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm. |
22 | Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë. |
23 | Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t`i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t`i shkatërrojë. |