| Chapter 25 |
1 | Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës. |
2 | Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë. |
3 | Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm. |
4 | Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin. |
5 | Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi. |
6 | Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj, |
7 | sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart", se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë. |
8 | Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp. |
9 | Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri, |
10 | me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë. |
11 | Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi. |
12 | Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar. |
13 | Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij. |
14 | Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi. |
15 | Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat. |
16 | Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh. |
17 | Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë. |
18 | Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë. |
19 | Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur. |
20 | Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën. |
21 | Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë, |
22 | sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë. |
23 | Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar. |
24 | Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece. |
25 | Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur. |
26 | I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur. |
27 | Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi. |
28 | Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure. |