| Chapter 57 |
1 | I drejti vdes, por askush nuk kujdeset për të; njerëzit e devotshëm çohen tutje, dhe askush nuk mendon që i drejti është çuar larg përpara së keqes. |
2 | Ai hyn në paqe; ata që kanë ecur në ndershmëri pushojnë në shtretërit e tyre. |
3 | Por afrohuni këtu, ju bij të magjistares, pasardhës të shkelësit të kurorës dhe të prostitutes. |
4 | Me kë po talleni? Kundër kujt e hapni gojën dhe nxirrni jashtë gjuhën? A nuk jeni ju bij të rebelimit, pasardhës të gënjeshtrës, |
5 | ju, që ndizeni midis lisave poshtë çdo druri të blertë, therni bijtë në luginat, në të çarat e shkëmbinjve? |
6 | Pjesa jote është midis gurëve të lëmuar të përroit; ata, pikërisht ata janë pjesa jote; mbi ta ke derdhur libacione dhe ke sjellë blatime ushqimesh. A do të mund të gjeja përdëllim në këto gjëra? |
7 | Ti e ke vënë shtratin tënd mbi një mal të lartë dhe të ngritur, edhe aty ke hipur për të ofruar flijime. |
8 | I ke vënë simbolet e tu idhujtarë prapa portave dhe pas shtalkave. Larg meje je zbuluar dhe je ngjitur tek ata; ke zgjeruar shtratin tënd dhe ke bërë një besëlidhje me ta, ke pëlqyer shtratin e tyre, duke synuar pushtetin e tyre. |
9 | Ke shkuar te mbreti me vaj, duke i shumuar parfumet e tua; i dërgove larg lajmëtarët e tu dhe u ule deri në Sheol. |
10 | Nga shkaku i udhëtimeve të tua të shumta je lodhur, por nuk ke thënë: "Éshtë e kotë". Ke gjetur akoma fuqi në dorën tënde, prandaj nuk e ndjen veten të kapitur. |
11 | Nga kush ke pasur frikë, nga kush je trembur për të gënjyer, për të mos më kujtuar mua dhe për të mos menduar më për mua? A nuk kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë? Prandaj nuk ke më frikë nga unë. |
12 | Unë do të shpall drejtësinë tënde dhe veprat e tua, që nuk do të hyjnë aspak në punë. |
13 | Kur do të bërtasësh, le të vijë të të shpëtojë turma e idhujve të tu. Era do t`i përlajë të tërë, një frymë do t`i çojë tutje. Por ai që gjen strehë tek unë do të zotërojë vendin dhe do të trashëgojë malin tim të shenjtë. |
14 | Dhe do të thuhet: "Sheshoni, sheshoni, shtroni rrugën, hiqni pengesat nga rruga e popullit tim!". |
15 | Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i "Shenjti": "Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve. |
16 | Sepse unë nuk dua të kundërshtoj gjithnjë dhe as të jem i zemëruar përjetë, përndryshe para meje do të ligështoheshin fryma dhe shpirtërat që kam bërë. |
17 | Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u indinjova, por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së tij. |
18 | I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t`i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar. |
19 | Unë krijoj frytin e buzëve. Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër", thotë Zoti. "Unë do ta shëroj". |
20 | Por të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë. |
21 | "Nuk ka paqe për të pabesët", thotë Perëndia im. |