| Chapter 33 |
1 | Fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë: |
2 | "Bir njeriu, folu bijve të popullit tënd dhe u thuaj atyre: Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar, |
3 | në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin, |
4 | kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet. |
5 | Ai ka dëgjuar zërin e borisë, por nuk i ka vënë veshin paralajmërimit, gjakun e tij do ta ketë mbi vete. Por ai që ka marrë parasysh paralajmërimin, do të shpëtojë jetën e tij. |
6 | Por në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, ky do të çohet tutje për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t`i kërkoj llogari sogjetarit. |
7 | Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime. |
8 | Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri", dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t`i kërkojë llogari dorës sate. |
9 | Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd. |
10 | Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?". |
11 | U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit? |
12 | Prandaj ti, bir njeriu, u thuaj bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë atë ditën e mëkatit të tij; po kështu pabesia e të pabesit nuk do ta rrëzojë ditën kur ai të largohet nga pabesia e tij, dhe i drejti nuk do të mund të jetojë për shkak të drejtësisë së tij ditën që do të kryejë mëkate. |
13 | Kur i them të drejtit që ke për të jetuar me siguri, në rast se ka besim në drejtësinë e vet dhe kryen paudhësinë, tërë veprimet e tij të drejta nuk do të kujtohen më, por ai do të vdesë për shkak të paudhësisë që ka kryer. |
14 | Përkundrazi, kur i them të pabesit: "Ti me siguri do të vdesësh", në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, |
15 | në rast se i pabesi kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar, nuk ka për të vdekur. |
16 | Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar. |
17 | Por bijt e popullit tënd thonë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë", ndërsa është rruga e tyre që nuk është e drejtë. |
18 | Kur i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi, për këtë ai do të vdesë. |
19 | Përkundrazi kur i pabesi largohet nga pabesia e tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, ai do të jetojë. |
20 | Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Unë do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve që ndjek, o shtëpi e Izraelit". |
21 | Vitin e dymbëdhjetë të robërisë sonë, muajin e dhjetë, ditën e pestë të muajit, ndodhi që arriti tek unë një i ikur nga Jeruzalemi dhe më tha: "Qyteti është pushtuar". |
22 | Një mbrëmje para se të vinte ikanaku, dora e Zotit u vu mbi mua dhe më kishte hapur gojën kështu, kur në mëngjes ai arriti tek unë, goja ime mbeti e hapur dhe nuk qeshë më memec. |
23 | Fjala e Zotit m`u drejtua pastaj, duke thënë: |
24 | "Bir njeriu, banorët e këtyre rrënojave në vendin e Izraelit thonë: "Abrahami ishte vetëm dhe pati zotërimin e vendit, por ne jemi shumë dhe zotërimi i vendit na jepet neve". |
25 | Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ju hani mishin me gjakun, ngrini sytë nga idhujt tuaj, derdhni gjak dhe dëshironi të zotëroni vendin. |
26 | Ju mbështeteni te shpata juaj, kryeni gjëra të neveritshme, secili ndot gruan e fqinjit të tij dhe dëshironi të zotëroni vendin. |
27 | U thuaj kështu atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, ata që banojnë midis atyre rrënojave do të vriten nga shpata, ata që janë në fushë të hapur do t`ua jap për të ngrënë kafshëve dhe ata që janë në fortesa dhe në shpella do të vdesin nga murtaja. |
28 | Do ta katandis vendin në një mjerim dhe në shkreti, kryelartësia e forcës së tij do të ligështohet dhe kështu malet e Izraelit do të jenë aq të shkretuar sa që askush nuk do të kalojë më andej. |
29 | Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ta kem katandisur vendin në mjerim dhe në shkreti për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme që kanë kryer. |
30 | Sa për ty, bir njeriu, bijtë e popullit tënd flasin për ty pranë mureve dhe te pragu i shtëpive të tyre, i flasin njeri tjetrit, duke i thënë secili vëllait të tij: "Eja të dëgjosh cila është fjala që vjen nga Zoti". |
31 | Kështu vijnë te ti ashtu si bën njerëzia, ulen para teje ashtu si bën populli im dhe dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë; me gojën e tyre, pra, tregojnë dashuri të madhe, por zemra e tyre shkon pas fitimit të tyre të padrejtë. |
32 | Ja, ti je për ta si një këngë dashurie e dikujt që ka një zë të bukur dhe di t`i bjerë mirë një vegle; ata dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë. |
33 | Dhe ja kur të ndodhë ajo gjë (dhe ja që po ndodh) do të pranojnë që në mes tyre ka pasur një profet". |