| Chapter 41 |
1 | Pastaj më çoi në shenjtërore dhe mati shtyllat; gjashtë kubitë gjërësi nga një anë dhe gjashtë kubitë gjerësi nga ana tjetër, ashtu siç ishte gjerësia e tabernakullit. |
2 | Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kubitë dhe muret anësore të hyrjes pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër. Mati gjatësinë e shenjtërores: dyzet kubitë, dhe gjerësinë e tij njëzet kubitë. |
3 | Pastaj hyri brenda dhe mati mbajtëset e portës: dy kubitë; porta ishte gjashtë kubitë dhe gjerësia e saj shtatë kubitë. |
4 | Mati gjatësinë e saj: njëzet kubitë, dhe gjerësinë e saj përpara shenjtërores, njëzet kubitë; pastaj më tha: "Ky është vend shumë i shenjtë". |
5 | Pastaj mati murin e tempullit: gjashtë kubitë; ndërsa gjerësia e çdo dhome anësore rreth e rrotull tempullit ishte katër kubitë. |
6 | Dhomat anësore ishin me tre kate, njëra mbi tjetrën, tridhjetë dhoma për kat; ato mbështeteshin mbi disa dalje të murit të tempullit, të bëra rreth e qark për dhomat anësore; kështu ishin ngjitur por nuk mbështeteshin mbi murin e tempullit. |
7 | Madhësia e dhomave anësore rritej dora dorës që kalohej nga një kat në tjetrin, sepse daljet e strukturës së murit të tempullit vinin si shkallare rreth e qark tempullit; prandaj madhësia e strukturës së tempullit rritej dora dorës që ngjiteshe nga kati i poshtëm në të lartin dhe duke kaluar nëpër atë të mesit. |
8 | Pashë gjithashtu rreth tempullit një lartësim; themelet e dhomave anësore ishin sa një kallam i tërë prej gjashtë kubitësh. |
9 | Gjerësia e murit të jashtëm të dhomave anësore ishte pesë kubitë; hapësira e lënë e lirë ndërmjet dhomave anësore që i përkisnin tempullit |
10 | dhe dhomat e jashtme ishte njëzet kubitë rreth e qark tempullit. |
11 | Portat e dhomave anësore shikonin nga hapësira e lirë: një portë nga veriu dhe tjetra nga jugu; gjerësia e hapësirës së lirë ishte pesë kubitë rreth e qark. |
12 | Ndërtimi që ndodhej përballë hapësirës boshe nga ana e perëndimit kishte një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh; muri i ndërtimit ishte i trashë pesë kubitë rreth e qark dhe i gjatë nëntëdhjetë kubitë. |
13 | Pastaj mati tempullin, që kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh. Hapësira boshe, konstruksioni dhe muret e tij kishin gjithashtu njëqind kubitë gjatësi. |
14 | Gjerësia e fasadës së tempullit dhe hapësira boshe nga ana lindore ishin njëqind kubitë. |
15 | Mati gjatësinë e ndërtimit përpara hapësirës boshe të konstruksionit, në pjesën e pasme të tij, me gjithë galeritë nga një anë dhe nga ana tjetër: njëqind kubitë. Kështu mati pjesën e brendëshme të shenjtërores dhe atriumet e oborrit. |
16 | Pragjet, dritaret me kanata dhe galeritë rreth e rrotull tri kateve përballë pragjeve ishin mbuluar me dru rreth e qark, nga dyshemeja deri te dritaret (dritaret ishin të mbuluara), |
17 | deri mbi portën, në pjesën e brendëshme dhe të jashtme të tij të tempullit përqark, brenda dhe jashtë, me përmasa të përpikta. |
18 | Ishin riprodhuar kerubinë dhe palma, një palmë midis kerubinit dhe kerubinit; çdo kerubin kishte dy fytyra: |
19 | fytyra e njeriut ishte e kthyer drejt një palme nga një anë, dhe fytyra e luanit ishte e kthyer drejt palmës tjetër nga ana tjetër. Ishin riprodhuar rreth a qark tempullit. |
20 | Nga dyshemeja deri përmbi portën dhe mbi murin e shenjtërores ishin riprodhuar kerubinë dhe palma. |
21 | Shtalkët e shenjtërores ishin katrorë, po kështu fasada e vendit të shenjtë; pamja e njerës ishte si pamja e tjetrës. |
22 | Altari ishte prej druri, i lartë tre kubitë dhe i gjatë dy kubitë; qoshet e tij, gjatësia dhe faqet e tij ishin prej druri. Burri më tha: "Kjo është tryeza që rri para Zotit". |
23 | Shenjtërorja dhe vendi i shenjtë kishin dy porta. |
24 | Çdo portë kishte dy kanate, dy kanate që mblidheshin dysh: dy kanate për një portë dhe dy kanate për tjetrën. |
25 | Mbi to, mbi portat e shenjtërores, ishin gdhendur kerubinë dhe palma, si ata që ishin gdhendur mbi mure. Mbi fasadën e atriumit, nga jashtë, kishte një strehore prej druri. |
26 | Kishte dritare me grilje dhe palma nga të dy anët, mbi muret anësorë të atriumit dhe mbi dhomat anësore të tempullit dhe mbi strehoret. |