| Chapter 21 |
1 | Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj, |
2 | duke u thënë atyre: ``Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m`i sillni! |
3 | Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t`i kthejë shpejt``. |
4 | Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç`ishtë thënë nga profeti, që thotë: |
5 | ``I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë``. |
6 | Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi. |
7 | Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi. |
8 | Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë. |
9 | Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: ``Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!``. |
10 | Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ``Kush është ky?``. |
11 | Dhe turmat thonin: ``Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë. |
12 | Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. |
13 | Dhe u tha atyre: ``Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje", por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh``. |
14 | Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi. |
15 | Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: ``Hosana Birit të Davidit!``, u zemëruan, |
16 | dhe i thanë: ``A po dëgjon ti çfarë thonë këta?``. Jezusi u tha atyre: ``Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?``. |
17 | Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën. |
18 | Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria. |
19 | Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ``Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!``. Dhe fiku u tha menjëherë. |
20 | Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ``Qysh u tha fiku në çast?``. |
21 | Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ``Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t`i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë. |
22 | Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni``. |
23 | Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ``Me ç`pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?``. |
24 | Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ``Edhe unë do t`ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t`ju them me ç`pushtet i kryej këto gjëra. |
25 | Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?``. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ``Po t`i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëhërë nuk i besuat?". |
26 | Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet``. |
27 | Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ``Nuk e dimë``. Atëhërë ai u tha atyre: ``As unë nuk do t`ju them me ç`pushtet i bëj këto gjëra". |
28 | ``Ç`mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim"; |
29 | por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi. |
30 | Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi. |
31 | Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?``. Ata i thanë: ``I pari``. Jezusi u tha atyre: ``Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve. |
32 | Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t`i besuar``. |
33 | ``Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj. |
34 | Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij, |
35 | por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. |
36 | Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë. |
37 | Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!". |
38 | Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij". |
39 | Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë. |
40 | Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t`u bëjë këtyre vreshtarëve?``. |
41 | Ata i thanë: ``Ai do t`i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t`ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t`i japin prodhimet në kohën e vet``. |
42 | Jezusi u tha atyre: ``A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"? |
43 | Prandaj unë po ju them se juve do t`ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t`i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt. |
44 | Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar``. |
45 | Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta. |
46 | Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet. |