| Chapter 27 |
1 | Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë. |
2 | Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit. |
3 | Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi, |
4 | duke thënë: ``Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj``. Por ata thanë: ``Po ne ç`na duhet? Punë për ty!``. |
5 | Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar. |
6 | Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: ``Nuk është e ligjshme t`i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku``. |
7 | Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve. |
8 | Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut". |
9 | Atëherë u përmbush ç`ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: ``Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit; |
10 | dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti``. |
11 | Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ``A je ti mbreti i Judenjve?``. Dhe Jezusi i tha: ``Ti po thua!``. |
12 | Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare. |
13 | Atëherë Pilati i tha: ``A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?``. |
14 | Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë. |
15 | Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t`i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte. |
16 | Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba. |
17 | Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ``Kë doni t`ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?``. |
18 | Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira. |
19 | Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ``Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij``. |
20 | Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej. |
21 | Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: ``Cilin nga të dy doni që t`ju liroj?``. Ata thanë: ``Barabën!``. |
22 | Pilati u tha atyre: ``Ç`të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?``. Të gjithë i thanë: ``Të kryqëzohet!``. |
23 | Por guvernatori tha: ``Po ç`të keqe ka bërë?``. Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ``Të kryqëzohet!``. |
24 | Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ``Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju``. |
25 | Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ``Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!``. |
26 | Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet. |
27 | Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën. |
28 | Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq. |
29 | Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ``Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!``. |
30 | Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë. |
31 | Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar. |
32 | Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit. |
33 | Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës", |
34 | i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte. |
35 | Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç`ishte thënë nga profeti: ``I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time``. |
36 | Pastaj u ulën dhe e ruanin. |
37 | Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: ``KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE``. |
38 | Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën. |
39 | Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën, |
40 | dhe duke thënë: ``Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!``. |
41 | Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin: |
42 | ``Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të; |
43 | ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"``. |
44 | Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të. |
45 | Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin. |
46 | Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: ``Eli, Eli, lama sabaktani?``. Domethënë: ``Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?``. |
47 | Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ``Ky po thërret Elian``. |
48 | Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë. |
49 | Por të tjerët thonin: ``Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar``. |
50 | Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë. |
51 | Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë; |
52 | varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën; |
53 | dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt. |
54 | Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ``Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!``. |
55 | Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galilea për t`i shërbyer; |
56 | midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut; dhe nëna e bijve të Zebedeut. |
57 | Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit. |
58 | Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t`ia dorëzonin trupin. |
59 | Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër, |
60 | dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua. |
61 | Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit. |
62 | Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, |
63 | duke thënë: ``Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem". |
64 | Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t`i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari``. |
65 | Por Pilati u tha atyre: ``Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t`ju duket më mirë``. |
66 | Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin. |