| Chapter 15 |
1 | Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit. |
2 | Dhe Pilati e pyeti: ``A je ti mbreti i Judenjve?``. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ``Ti e thua!``. |
3 | Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak. |
4 | Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ``Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!``. |
5 | Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur. |
6 | Dhe në çdo festë ishte zakon t`u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin. |
7 | Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje. |
8 | Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. |
9 | Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ``A doni t`ju liroj mbretin e Judenjve?``. |
10 | Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira. |
11 | Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t`u lironte atyre Barabanë. |
12 | Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ``Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?``. |
13 | Dhe ata bërtitën përsëri: ``Kryqëzoje!``. |
14 | Dhe Pilati u tha atyre: ``Po ç`të keqe ka bërë?``. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ``Kryqëzoje!``. |
15 | Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej. |
16 | Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. |
17 | E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. |
18 | Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ``Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!``. |
19 | Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. |
20 | Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. |
21 | Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij. |
22 | Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës". |
23 | I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. |
24 | Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t`i binte secilit. |
25 | Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. |
26 | Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve". |
27 | Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij. |
28 | Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ``Ai u përfshi ndër keqbërësit``. |
29 | Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ``Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, |
30 | shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!``. |
31 | Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: ``Të tjerët i shpëtoi, por veten s`mund ta shpëtojë. |
32 | Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë``. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë. |
33 | Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë. |
34 | Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ``Eloi, Eloi; lama sabaktani?``, që e përkthyer do të thotë: ``Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?``. |
35 | Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: ``Ja, ai po thërret Elian!``. |
36 | Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ``Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë``. |
37 | Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën. |
38 | Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund. |
39 | Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ``Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!``. |
40 | Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja, |
41 | të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem. |
42 | Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës, |
43 | Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. |
44 | Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe. |
45 | Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit. |
46 | Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit. |
47 | Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë. |