| Chapter 6 |
1 | Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës. |
2 | Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit. |
3 | Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij. |
4 | Dhe Pashka, festa e Judenjve ishte afër. |
5 | Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ``Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?``. |
6 | Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç`do të bënte. |
7 | Filipi iu përgjigj: ``Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë``. |
8 | Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha: |
9 | ``Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç`janë këto për aq njerëz?``. |
10 | Dhe Jezusi tha: ``Bëjini njerëzit të ulen!``. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë. |
11 | Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën. |
12 | Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ``Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë``. |
13 | I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë. |
14 | Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë``. |
15 | Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm. |
16 | Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit. |
17 | Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. |
18 | Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë. |
19 | Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë. |
20 | Por ai u tha atyre: ``Jam unë, mos druani!``. |
21 | Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar. |
22 | Të nesërmen turma, që kishte mbetur në bregun tjetër të detit, pa se atje nuk kishte tjetër përveç një barke të vogël, në të cilën kishin hipur dishepujt e Jezusit, dhe që ai nuk kishte hipur me ta, dhe që dishepujt e tij ishin nisur vetëm; |
23 | ndërkaq kishin ardhur barka të tjera nga Tiberiada, afër vendit ku kishin ngrënë bukë, pasi Zoti kishte falënderuar. |
24 | Turma, kur pa se Jezusi nuk ishte më atje dhe as dishepujt e tij, hipi edhe ajo nëpër barka dhe erdhi në Kapernaum, duke kërkuar Jezusin. |
25 | Kur e gjetën përtej detit i thanë: ``Mësues, kur erdhe këtu?`` |
26 | Jezusi u përgjigj dhe tha: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur. |
27 | Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t`jua japë Biri i njëriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.`` |
28 | Atëherë e pyetën: ``Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?``. |
29 | Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ``Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar.`` |
30 | Atëherë ata i thanë: ``Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besoj-më? Ç`vepër po kryen? |
31 | Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"``. |
32 | Atëherë Jezusi u tha atyre: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli. |
33 | Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës``. |
34 | Atëhere ata i thanë: ``Zot, na jep gjithmonë atë bukë``. |
35 | Dhe Jezusi u tha atyre: ``Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. |
36 | Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni. |
37 | Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë, |
38 | sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. |
39 | Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t`i ringjall në ditën e fundit. |
40 | Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit``. |
41 | Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ``Unë jam buka që zbriti nga qielli``, |
42 | dhe thoshnin: ``Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?``. |
43 | Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ``Mos murmurisni midis jush. |
44 | Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. |
45 | Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë. |
46 | Jo s`e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin. |
47 | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme. |
48 | Unë jam buka e jetës. |
49 | Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën. |
50 | Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë. |
51 | Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës``. |
52 | Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: ``Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?``. |
53 | Prandaj Jezusi u tha atyre: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. |
54 | Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. |
55 | Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. |
56 | Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. |
57 | Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. |
58 | Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë``. |
59 | Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum. |
60 | Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ``Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?``. |
61 | Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ``Kjo ju skandalizon? |
62 | Ç`do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë? |
63 | Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë. |
64 | Por janë disa midis jush që nuk besojnë``; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte; |
65 | dhe thoshte: ``Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im``. |
66 | Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të. |
67 | Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ``A doni edhe ju të largoheni?``. |
68 | Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ``Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. |
69 | Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë``. |
70 | Jezusi u përgjigj atyre: ``A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall``. |
71 | Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët. |