| Chapter 23 |
1 | Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: ``Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë``. |
2 | Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë. |
3 | Atëherë Pali i tha: ``Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin``. |
4 | Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: ``E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?``. |
5 | Pali u përgjigj: ``Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd"``. |
6 | Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: ``Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem``. |
7 | Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça; |
8 | sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën. |
9 | Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: ``Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë``. |
10 | Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë. |
11 | Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: ``Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë``. |
12 | Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin. |
13 | Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet. |
14 | Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: ``Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin. |
15 | Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t`jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim``. |
16 | Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit. |
17 | Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: ``Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t`i thënë``. |
18 | Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: ``Pali, i burgosuri, më thirri dhe m`u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë``. |
19 | Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: ``Çfarë ke për të më thënë?``. |
20 | Ai tha: ``Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij. |
21 | Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t`ua lejosh atyre``. |
22 | Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra. |
23 | Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: ``Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare``. |
24 | Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks. |
25 | Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje: |
26 | ``Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet. |
27 | Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak. |
28 | Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre. |
29 | Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin. |
30 | Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!``. |
31 | Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë. |
32 | Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë. |
33 | Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin. |
34 | Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç`krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia, |
35 | i tha: ``Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu``. Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit. |