| Chapter 4 |
1 | Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? |
2 | Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t`u lëvduar. |
3 | Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ``Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi``. |
4 | Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; |
5 | ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. |
6 | Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: |
7 | ``Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. |
8 | Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t`ia numërojë mëkatin``. |
9 | Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi. |
10 | Në ç`mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. |
11 | Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t`u numërohet drejtësia, |
12 | dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë. |
13 | Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit. |
14 | Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet, |
15 | sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje. |
16 | Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili |
17 | (siç është shkruar: ``Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve``), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin. |
18 | Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t`u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: ``Kështu do të jetë pasardhja jotë``. |
19 | Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës. |
20 | Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, |
21 | plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. |
22 | Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi. |
23 | E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, |
24 | por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, |
25 | i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë. |